• + 355 4 2251 475
  • info@acpd.org.al
  • ACPD - Bul. Gj. Fishta, P. 26, Hy. 2, Ap. 5, Tirana, Albania
Vazektomia (sterilizimi mashkullor)

Vazektomia (sterilizimi mashkullor)

Jo të gjitha metodat e kontracepsionit kanë si synim apo objektiv femrën. Një nga format më të rralla të kontracepsionit është edhe vazektomia tek meshkujt. Vazektomia (ose sterilizimi mashkullor) është një formë e kontracepsionit kirurgjikal që ka të bëjë me prerjen dhe lidhjen e 2 tubave (secili prej tyre quhet vas deferens), të cilët bartin spermën nga testikujt drejt e në penis. Është një teknikë kontracepsioni që përdoret rrallë dhe që zakonisht zgjidhet nga meshkujt që kanë 2-3 fëmijë.

Si funksionon?

Vazektomia pengon spermën të hyjë në lëngun seminal. Sperma prodhohet në fshikëzat seminale dhe të prostatës, të cilat nuk preken nga vazektomia. Nuk preket as sasia e lëngut seminal dhe sperma llogaritet se përbën vetëm 2-5% të lëngut që derdhet nga penisi. Sperma që prodhohet nga testikujt, por që nuk mund të kalojë në asnjë nga vas deferense, përthithet nga trupi.

Sa efikase është vazektomia?

Efikasiteti i vazektomisë është më i madh se 99% për parandalimin e shtatzënisë. Kjo metodë duhet të konsiderohet si një formë e përhershme kontraceptivet, pasi është disi e vështirë të rikthehet me procedurë kirurgjikale.

Cilat janë avantazhet?

Disa nga avantazhet e vazektomisë janë:

  • Është e besueshme dhe e përhershme;
  • Nuk ndikon tek ereksioni, potenciali seksual, prodhimi hormonal ose ejakulimi;
  • Nuk ndikon në spontanitetin e seksit;
  • Është procedurë e shpejtë dhe e thjeshtë;
  • Nuk ka efekte anësore afatgjatë.

Cilat janë disavantazhet?

Disa nga disavantazhet e vazektomisë janë.

  • Nuk është menjëherë efikase dhe mund të duhen 2-3 muaj (ose 16-20 ejakulime) përpara se e gjithë sperma të largohet nga çdo vas deferense;
  • Pas procedurës, mashkulli mund të ketë disa shqetësime dhe ndjesi parehatie për pak kohë, siç janë dhimbjet, nxirjet ose ënjtjet;
  • Mund të ketë komplikime, hemorragji, infeksion ose inflamacione në rrjedhjen e spermës;
  • Në një raport 1 me 100 deri në 1 në 500 raste tubat mund të rihapen dhe mashkulli mund të bëhet përsëri pjellor. Gjithsesi, operacioni mund të ripërsëritet.

Si kryhet procedura e vazektomisë?

Vazektomia është një procedurë e vogël kirurgjikale që mund të kryhet me anestezi lokale nga mjekë të përgjithshëm të trajnuar posaçërisht për këtë procedurë, nga urologë ose nga klinikat e planifikimit familjar.  Gjatë procedurës, vas deferentia mashkullore priten dhe lidhen me njëra tjetrën ose mbyllen në mënyrë që të parandalohet depërtimi i spermës në uretër dhe në këtë mënyrë të parandalohet shtatzënia e femrës përmes marrëdhënieve seksuale. Procedura zgjat më pak sesa 30 minuta.

Rreth dy muaj pas operacionit, personi duhet të japë një mostër sperme e cila testohet për të parë nëse sperma është ende e pranishme. Megjithatë një pjesë e këtyre meshkujve ndërrojnë mendim për këtë teknikë kontracepsioni dhe kërkojnë të kenë sërish mundësinë për t’u bërë prindër. Kjo arrihet përmes teknikës së korrigjimit të vazektomisë, e cila mundëson bashkimin e pjesëve të këputura të vas deferens.