• + 355 4 2251 475
  • info@acpd.org.al
  • ACPD - Bul. Gj. Fishta, P. 26, Hy. 2, Ap. 5, Tirana, Albania
Spiralja

Spiralja

Spiralja (ose kontracepsioni mekanik) është një nga format më të përhapura të kontracepsionit. Është një pajisje e vogël në formë T-je që vendoset në uterus (mitër).

Në ditët e sotme për kontracepsion përdoret zakonisht dispozitivi intrauterin (DIU, Spirale, Sterile), që në Shqipëri njihet me emrin Mirenë. Ai parandalon implantimin e embrionit në endometër përmes mekanizmave mekanikë apo kimikë.

DIU ka formën e shkronjës T dhe përbëhet nga trupi, krahët dhe fijet që shërbejnë për të lokalizuar DIU-në në rastin e heqjes. Spiralja mund të përmbajnë bakër (Cooper-T) ose levonorgestrel.

Fillimisht, pacientja duhet të informohet për avantazhet dhe disavantazhet që ka përdorimi i spirales. Kjo e fundit është një metodë kontraceptive e shkëlqyer për shumë femra pasi është e sigurt, ka kosto relativisht të ulët, është shumë efikase, e pavarur nga koitusi, e rikthyeshme (pra, mund të hiqet më vonë pa asnjë problem), vepron për një kohë të gjatë dhe ka më pak efekte anësore.

Kush mund ta përdorë spiralen?

Pacientet ideale janë ato me risk të ulët për sëmundje seksualisht të transmetueshme, që nuk planifikojnë ndonjë shtatzëni për të paktën një vit apo që refuzojnë kontraceptivët oralë.

Po ashtu DIU-LNG (Mirena) është një zgjedhje e përkryer për femrat me menorragji (pasi redukton fluksin menstrual) për femrat me dismenorre, diabet, antecedente tromboembolike, antecedente për kancer gjiri apo sëmundje hepatike. Për sa u përket, adoleshenteve, femrave që ushqejnë me gji dhe atyre me anamnezë pozitive për SIP apo shtatzëni jashtë mitre, ato mund të përdorin DIU por duhet patjetër të informohen për efektet anësore (kryesisht amenorrea – mungesë të ciklit menstrual).

Efikasiteti

Spiralja është 99% efikase në parandalimin e shtatzënisë. Kjo do të thotë se është më efektiv se shumica e formave të tjera të kontracepsioneve, duke përfshirë këtu edhe prezervativët, pilulat ose pullat hormonale, unazat apo injeksionet.

Si përdoret?

Vendosja e spirales është procedurë që bëhet nga mjeku gjinekolog në klinikë apo spital. Mjeku vendos një instrument spekulum për të pastruar atë dhe qafën e mitrës me një solucion antiseptike.

Më pas, mjeku palos krahët horizontalë të spiralet dhe e vendos pajisjen brenda një tubi aplikuesi. Tubi futet në kanalin e qafës së mitrës dhe spiralja vendoset me kujdes në mitër. Kur tubi i aplikuesit hiqet, spiralja mbetet brenda në vend.

Mjeku pret fijet e spirales në mënyrë që ato të mos dalin shumë.

Gjatë vendosjes së spiralet, mund të përjetoni ngërçe, marramendje, të fikët ose ngadalësim të lehtë të rrahjeve të zemrës.

Avantazhet

  • Nuk dëmton mundësinë për shtatzëni në të ardhmen, pasi kur hiqet dhe femra është gati për të mbetur shtatzënë.
  • ofron kontracepsion efikas dhe afatgjatë.
  • Mund të përdoret nga gratë para menopauzës, si dhe nga femrat e të gjitha moshave, përfshirë adoleshentët.
  • Eliminon nevojën për të ndërprerë seksin për të marrë kontracepsion.
  • Mund të qëndrojë e vendosur brenda në trup deri në shtatë vjet.
  • Mund të hiqet në çdo kohë, e ndjekur nga një kthim i shpejtë në fertilitet
  • Mund të përdoret gjatë ushqyerjes me gji, ndonëse nënave që sapo kanë lindur mund t’u duhet të presin 6-8 javë pas lindjes së fëmijës në mënyrë që të mos rrezikojnë dëmtimin e mitrës gjatë vendosjes.
  • Nuk mbart rrezikun e efekteve anësore që lidhen me kontrollin e lindjes që përmban estrogjen
  • Mund të ulë hemorragjinë menstruale pas tre ose më shumë muajve të përdorimit.
  • Mund të pakësojë dhimbje e forta menstruale, rrezikun e infeksionit të legenit dhe të kancerit endometrial.

Disavantazhet

  • Disa ekspertë thonë se spiralja mund të rrisë rrezikun e infektimit në mitër ose tek tubat fallopianë, të cilat mund të ndikojnë në fertilitetin e gruas. Por rreziku i infektimit është i ulët dhe ndodh tek më pak se 1 në 100 gra.
  • Më pak se 1% e grave që përdorin spiralen mekanike mund të mbeten shtatzënë edhe pas përdorimit të saj.
  • Nuk mbron nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme
  • Në raste të rrallë, futja e spirales mund të shkaktojë çarje të mitrës. Ky rrezik mund të jetë më i lartë kur spiralja vendoset gjatë periudhës pas lindjes së fëmijës.
  • Ka disa efektet anësore, si dhimbje koke, akne, ndjeshmëri e gjirit, menstruacione të parregullta, e cila mund të përmirësohet pas gjashtë muajve të përdorimit, ndryshime humori, dhimbje legeni, etj.

Duhet pasur parasysh

Spiralja duhet hequr (nga mjeku gjinekolog) në rast të:

  • Një infeksioni në legen
  • Inflamacionit të endometrit
  • Kancerit të endometrit ose të qafës së mitrës
  • Dhimbjes së legenit ose dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale
  • Migrenës shumë e fortë
  • Një rritjeje të ndjeshme e presionit të gjakut, ose keni një goditje në tru ose sulm në zemër
  • Ekspozimit të mundshëm ndaj një sëmundjeje seksualisht të transmetueshme