
Prezervativi femëror
Ashtu si me prezervativin për meshkujt, prezervativi për femrat përdoret për të parandaluar kalimin e spermës dhe kontaktin mes lëngjeve seksuale të të dy partnerëve. Prezervativi femëror mbron si nga fekondimi i padëshiruar ashtu edhe nga të gjitha sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Ai bëhet nga poliuretani, është më i hollë por më rezistent se prezervativi mashkullor dhe përdoret vetëm një herë ashtu si ky i fundit.
Në vendin tonë, por edhe në vende të tjera të botës, ky lloj prezervativi është ende pak i përdorur dhe shpesh i panjohur, ndonëse ofron mbrojtje efektive dhe të plotë.
Prezervativi femëror vendoset brenda vaginës. Ai është i lubrifikuar dhe mund të vendoset disa orë para marrëdhënies seksuale. Gjithashtu mund të qëndrojë e vendosur brenda në organ për disa orë pas marrëdhënieve, por duhet ndërruar pas çdo akti seksual.
Si vendoset prezervativi femëror?
Për ta futur prezervativin femëror, duhet të kapet unaza e brendshme (në anën e mbyllur të prezervativit) për ta mbajtur atë brenda vaginës. Në këtë pozicion, ajo duhet të shtyhet sa më shumë që të jetë e mundur brenda zgavrës me ndihmën e gishtit tregues. Unaza e jashtme (më e madhja) përdoret për të mbuluar organet gjenitale të jashtme të gruas.
Ndiqen këto hapa për vendosjen e prezervativit femëror.
- Femra nxjerr prezervativin nga paketimi i tij pa e dëmtuar ose grisur dhe zgjidh një pozicion që ndjehet rehat (ulur ose shtrirë).
- Unaza e brendshme (ajo më e vogël) mbahet mes gishtit të madh dhe gishtit tregues dhe futet sa më thellë që të jetë e mundur në vaginë.
- Me gishtin tregues, shtyhet prezervativi deri në fund pa e tërhequr unazën e jashtme në vaginë. Prezervativi femëror tani është në vend.
- Gjatë marrëdhënieve seksuale, gjithçka që duhet të bëjë femra është të kontrollojë që organi mashkullor të përshtatet në pajisje.
- Për ta hequr prezervativin, duhet te kthehet unaza e jashtme në drejtim të brendshëm për të mbyllur prezervativin dhe për të parandaluar rrjedhjen e spermës. Më pas, tërhiqet me kujdes nga vagina.

Efikasiteti
Nëse përdoret siç duhet, efektiviteti i këtij prezervativi shkon deri në mbi 95%. Por në shumicën e rasteve, përdoruesit nuk e kuptojnë mirë dhe për këtë arsye shpesh e vendosin keq atë. Kjo sjell si rezultat rënie të efikasitetit me 5%-20%.
Nëse partnerja dëshiron të rrisë efikasitetin e prezervativit, ajo mund ta shoqërojë me një metodë tjetër kontraceptive (pilula, spiralja, etj.).
Ku mund të gjej prezervativin femëror?
Prezervativi femëror gjendet pa recetë në të gjitha farmacitë dhe madje edhe në internet. Çmimi i tyre përgjithësisht është pak më i lartë se për prezervativët për meshkuj dhe mund të shkojë në rreth 9 ose 10 € për një kuti me 3 copë, por ka edhe falas në qendrat e planifikimit dhe edukimit familjar dhe qendrat e testimit.
Avantazhet
- Është shumë më rezistent se modeli për meshkujt.
- Ofron më shumë siguri nëse vendoset mirë.
- Mund të vendoset disa orë para marrëdhënies seksuale duke shmangur kështu ngatërresat në proces e sipër.
- Mund të përdoret nga të gjithë personat alergjikë ndaj lateksit pasi nuk përmban lateks dhe, sipas prodhuesve, ofron një ndjesi më të këndshme prekëse dhe një ndjesi nxehtësie afër asaj të trupit.
- Përdoret me të gjitha llojet e lubrifikantëve (edhe pse si produkt është tashmë i lubrifikuar)
- U bën të mundur femrave të kontrollojnë me qetësi seksualitetin e tyre dhe të zgjedhin vetë mjetet e mbrojtjes.
Disavantazhet
- Nuk është e lehtë të vendoset në vaginë; madje ndonjëherë duhet provuar 3-4 herë para se të arrini ta vendosni siç duhet. Prandaj rekomandohet të stërviteni rregullisht për ta vendosur atë.
- Përveç kësaj, gruaja duhet të ketë një njohuri të mirë të anatomisë së saj për të kuptuar se si funksionon. Prandaj gratë shumë të reja nuk janë më të afta për ta përdorur atë.
- Disa përdoruese raportojnë se prezervativi femëror është pak i zhurmshëm gjatë seksit, gjë që mund të përbëjë shqetësim për disa përdorues.