• + 355 4 2251 475
  • info@acpd.org.al
  • ACPD - Bul. Gj. Fishta, P. 26, Hy. 2, Ap. 5, Tirana, Albania
Pilulat kontraceptive

Pilulat kontraceptive

Pilulat kontraceptive janë një lloj medikamenti që femrat mund ta marrin çdo ditë për të parandaluar shtatzëninë. Njihen me emra të ndryshëm: kontraceptivët oralë ose edhe thjesht pilula.

Kontraceptivët oralë përbëhen nga hormone. Hormonet janë përbërës kimikë të prodhuar normalisht nga vetë trupi i njeriut dhe kontrollojnë mënyrën se si funksionojnë pjesë të ndryshme të trupit.

Kontraceptivët oralë ose “pilulat” janë në përgjithësi tableta që merren nga goja. Ato përmbajnë hormone (një estrogjen dhe një progestativ, ose vetëm një progestativ) në raporte të ndryshme, të cilat pengojnë mbetjen shtatzënë.

Ekzistojnë dy lloje kontraceptivësh oralë që përfshihen në termin “pilula kontraceptive”. Në Shqipëri më të përhapurat janë pilulat e kombinuara.

  1. Pilula e kombinuar (kontraceptivët oralë të kombinuar) përmban dy lloje hormonesh; estrogjenikë dhe progestativë (progesteron). Ky është lloji më i përdorur i kontraceptivëve oralë në qarkullim.
  2. Minipilula përmban vetëm një lloj hormoni, progesteronin.

Si duhet të merret pilula kontraceptive?

Këto pilula mund të fillohen brenda 5 ditëve të para të menstruacioneve. Në këtë mënyrë do të jeni gjithnjë të mbrojtura nga shtatzania për sa kohë që merrni pilulën.

Duhet të merret një pilulë në ditë. Çdo pilulë duhet të konsumohet në të njëjtën orë ose sa më afër. Nëse harroni të merrni pilulë në orën e caktuar, atëherë merrni atë sa më shpejt të jetë e mundur dhe pilulën tjetër në kohën e duhur në ditën tjetër. Shumica e paketimeve janë me 28 ose me 21 pilula. Në të dyja rastet kemi 21 pilula aktive të cilat përmbajnë hormonet. Në paketimet me 28 pilula, 7 pilulat e fundit quhen tableta rikujtuese. Ato nuk përmbajnë hormone. Në paketimet me 21 pilula, merret një tabletë çdo ditë. Pas 21 ditëve aktive, kryhet një javë ndërprerje, pas të cilës niset një kuti e re. Megjithatë, pilulat kontraceptive mund të merren çdo ditë, edhe për më shumë se 21 ditë, nëse doni të shtyni datën e menstruacioneve ose thjesht të mos keni fare menstruacione për një periudhë të caktuar.

Ka rrezik të mbeteni të pambrojtura ndaj shtatzënisë së padëshiruar në rast se:

  • Harroni të merrni pilulën për më shumë se 24 orë
  • Ndaloni të merrni pilulën dhe nuk jeni duke përdorur mënyrë tjetër kontracepsioni.

Si duhet të fillohen pilulat e kombinuara pas lindjes?

Pilulat e kombinuara duhet të fillohen pas 6 javëve të para të laktacionit, pasi nëse përdoren që në fillim mund të ndikojnë në sasinë & cilësinë e qumështit të gjirit. Pas këtyre 6 javëve të para ato mund të përdoren në mënyrë të sigurtë.

Si veprojnë kontraceptivët oralë?

Hormonet e pilulave kontraceptive frenojnë ovulacionin, nuk mund të ndodhë shtatzënia nëse nuk ndodh ovulacioni. Po ashtu, ato e bëjnë mukusin cervikal më të viskoz duke bërë kështu të pamundur depërtimin e spermatozoideve në mitër.

Sa efikase është pilula kontraceptive?

Efikasiteti i pilulës kontraceptive është 99 % në qoftë se ajo merret në mënyrë të rregullt. Mbrojtja nga shtatzënia fillon të ketë efekt pas pilulës së 7-të. Është e rëndësishme që pilula të merret çdo 24 orë. Për t’u asimiluar nga organizmi pilula kërkon rreth 5 orë kohë.

Sa të sigurt janë për shëndetin kontraceptivët oralë?

Shumica e femrave që marrin kontraceptivë nuk do të pësojnë asnjë efekt anësor apo komplikacion. Megjithatë si çdo medikament, edhe kontraceptivët kanë disa rreziqe apo efekte anësore. Ato theksohen më shumë nëse në të njëjtën kohë konsumoni edhe duhan.

Nuk duhet të merren kontraceptivët oralë nëse:

  • Jeni shtatzënë.
  • Keni migrenë.
  • Keni çrregullime të trashëgueshme në koagulimin (mpiksjen) e gjakut.
  • Keni kaluar dhe jeni mjekuar për tromboza, tromboemboli apo tromboflebite.
  • Keni kaluar infarkt të miokardit (zemrës), ishemi, hemorragji cerebrale apo probleme të tjera të zemrës.
  • Keni tension të lartë të gjakut
  • Keni lupus eritematoz sistemik
  • Keni sëmundje të mëlçisë.
  • Keni diabet.
  • Nëse pini duhan dhe jeni më shumë se 35 vjeçe.

Çfarë përfitimesh vijnë nga përdorimi i kontraceptivëve oralë?

  • Pilula është e sigurt, e thjeshtë për t’u marrë, dhe e përshtatshme.
  • Nuk ndikon në aktivitetin seksual.
  • Mund të përdoren edhe për arsye të tjera, pasi reduktojnë dhimbjet menstruale, fluksin menstrual dhe rrezikun për sëmundje inflamatore pelvike.
  • Kanë edhe efekte të tjera pozitive kundër akneve, osteoporozës, kundër problemeve të ndryshme të gjirit (fibro-adenomave etj.).
  • Reduktojnë rrezikun për kancer endometrial apo kancer të ovareve (vezoreve).
  • Reduktojnë aneminë e shkaktuar nga menstruacionet e çrregullta dhe të bollshme.
  • Pilulat kontraceptive të kombinuara mund të përdoren për të kontrolluar kohën dhe shpeshtësinë e menstruacioneve duke i marrë pilula për më tepër se 21 ditë.
  • Në momentin që marrja e pilulave ndërpritet, disa ditë pas ndërprerjes do të vijnë menstruacionet (nuk ka rëndësi nëse pacientja i ka marrë pilulat për 21 apo për 30 ditë).

Cilat janë dizavantazhet?

  • Ndjenjë fryrje dhe tendosje të gjirit,
  • Ndjesi të vjellash (të përziera),
  • Njolla hemorragjike (spoting) në muajt e parë të përdorimit,
  • Mund të shkaktojë ndonjëherë rritje të lehtë në peshë,
  • Çrregullime humori dhe rrallë ulje të libidos në disa femra.