• + 355 4 2251 475
  • info@acpd.org.al
  • ACPD - Bul. Gj. Fishta, P. 26, Hy. 2, Ap. 5, Tirana, Albania
Injeksioni kontraceptiv

Injeksioni kontraceptiv

Injeksioni kontraceptiv është një metodë kontracepsioni. Ai përmban një hormon. Ky hormon pengon ovulacionin. Po ashtu, ai e bën më të vështirë që spermatozoidet të futen në mitër dhe parandalon në këtë mënyrë fekondimin e një vezoreje.

Injeksionet vetëm me progestin nuk përmbajnë estrogjen, kështu që mund të përdoren gjatë periudhës së ushqyerjes me gji. Mund të përdoret edhe nga gratë që nuk mund të përdorin metoda kontraceptive me estrogjen.

Efikasiteti

Injeksioni kontraceptiv është përgjithësi efikas dhe i sigurt nëse bëni një injeksion të ri çdo 3 muaj. Rreth 6 në 100 gra ngelin shtatzëna kur përdorin injeksionin kontraceptiv për 1 vit, pra efikasiteti është 94%.

Përdorimi

Injeksioni funksionon për 3 muaj. Përdoret në mënyrën e mëposhtme:

  • Gjatë 5 ditëve të para të ciklit, mjeku, gjinekologu ose infermieri ju bën një injeksion në parakrah ose në vithe.
  • Më pas, bëhet një injeksion i ri çdo 3 muaj (12 javë).

Injeksioni kontraceptiv mund të përdoret nga gratë:

  • në moshë riprodhuese
  • që duan të përdorn një metodë efikase për të parandaluar shtatzëninë e padëshiruar
  • që ushqejnë me gji (6 javë ose më shumë pas lindjes) dhe që kanë nevojë për kontracepsion
  • që pinë duhan (të çdo moshe, pavarësisht nga numri i cigareve të konsumuara në ditë)
  • me tension të lartë, anemi, çrregullime të koagulimit të gjakut
  • me sëmundje kardiake dhe të tiroides
  • me histori shtatzënie ektopike
  • që nuk janë të interesuara për sterilizim vullnetar
  • që kanë probleme për të kujtuar të marrin pilulën çdo ditë.

Avantazhet

  • Nuk ndikon në shëndetin e femrës.
  • Injeksioni kontraceptiv përmban një hormon, që në përgjithësi nuk ndikon në shëndet.
  • Nuk ndikon në mundësitë për të lindur. Nëse doni të ngelni shtatzënë, thjesht ndaloni marrjen e injeksionit. Gjithsesi, mund të duhen disa muaj deri në një vit që cikli të kthehet në nivele normale.

Disavantazhet

  • Mund të shkaktojë efekte anësore si dhimbje koke, migrenë, shikim të turbullt, cikël menstrual të çrregullt dhe rritje të ndjeshmërisë tek gjinjtë. Konsultohuni me një mjek nëse efektet anësore janë të rënda.
  • Cikli menstrual mund të pakësohet ndjeshëm dhe shpesh ndalon krejtësisht. Nuk ka problem nëse ndodh një gjë e tillë. Gjaku nuk mund të mblidhet në trup.
  • Për disa gra, cikli bëhet më i rënduar. Të tjerat vazhdojnë të kenë cikël menstrual të çrregullt ose hemorragji mes dy cikleve. Edhe kjo nuk përbën problem.
  • Nuk ofron mbrojtje nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Ky injeksion kontraceptiv mund të gjendet në farmaci, por duhet të keni recetë nga mjeku për ta blerë atë.

Po ashtu, injeksioni duhet të bëhet nga një punonjës i kujdesit shëndetësor, si mjeku i familjes, infermier, gjinekolog.