• + 355 4 2251 475
  • info@acpd.org.al
  • ACPD - Bul. Gj. Fishta, P. 26, Hy. 2, Ap. 5, Tirana, Albania
Patch-i (pulla hormonale)

Patch-i (pulla hormonale)

Patchi (apo pulla hormonale) është një kontraceptiv i ri hormonal me formulim patch transdermik (lëshon hormone përmes lëkurës) që në sajë të kombinimit të estrogjenit dhe progrestit me dozë të ulët garanton siguri dhe lehtësi administrimi, efekte anësore të pakta dhe asnjë rrezik se mund ta harroni ta merrni (si në rastin e pilulave).

Për sa i përket madhësisë, është më pak se 4 cm në diametër, prandaj thuajse nuk bie fare në sy. 

Si funksionon?

Ai përmban të njëjtat hormone si pilula e kombinuar dhe funksionon në të njëjtën mënyrë duke parandaluar ovulacionin. Ai trash mukozën e qafës së mitrës, duke ia bërë më të vështirë spermës të lëvizë nëpër qafën e mitrës.

Nga ana tjetër, në këtë mënyrë hollohet edhe mukoza e mitrës, kështu që një vezë e fekonduar ka më pak mundësi të jetë në gjendje të implantohet vetë.

Si përdoret?

Patch-i i parë që aplikohet mbahet për 7 ditë. Në ditën e 8-të, patch-i vjetër zëvendësohet me një të ri. Kështu, ai zëvendësohet çdo javë për 3 javë dhe më pas bëni një javë pa patch. Pas 7 ditësh pa patch, aplikohet një patch i re dhe kështu fillohet sërish cikli 4-javor. Patch-i vendoset edhe nëse jeni me menstruacione.

Patch-i vendoset direkt në lëkurë. Mund të vendoset pothuajse në çdo pjesë të trupit për sa kohë që lëkura është e pastër, e thatë dhe pa shumë me qime. Në çastin që vendoset, mbahet e shtypur për 30 sekonda për të garantuar aplikimin. Pas kësaj, mund të vazhdoni normalisht me aktivitete të përditshme si pishina, det, sauna apo hidromasazh pa pasur merak se mund të shkeputet.

Patch-i nuk duhet të vendoset në ato pjesë ku lëkura është e irrituar, infektuar, me çarje apo e dëmtuar ose në zona ku mund të fërkohet nga rrobat e ngushta që mund të vishni.   

Nëse patch-i fillon të përdoret që në ditën e parë të menstruacioneve dhe deri në ditën e pestë të tyre, atëherë përdoruesja do të jetë e mbrojtur menjëherë nga shtatzënia.

Pse disa femra zgjedhin patch-in?

Studime të ndryshme evidentojnë disa faktorë kryesorë që i shtyjnë femrat të zgjedhin apo të ndryshojnë metodën e kontracepsionit.  Ndër to më kryesoret janë këshilla e gjinekologut (25%) dhe nevoja për lehtësi më të madhe përdorimi të metodës së kontracepsionit(17%). Nevoja për lehtësi shprehet me anë të dozimit më të vogël por me siguri të njëjtë, për të harruar ‘peshën’ e efekteve anësore, shtimin në peshë dhe celulitin, si dhe efektet anësore të mundshme për shëndetin, ku i pari është shtimi i riskut onkologjik.

Avantazhet:

  • Është shumë i lehtë për t’u përdorur
  • Ndryshe nga pilula e kombinuar kontraceptive orale, nuk duhet të mendoni për të çdo ditë se mos harroni. Duhet të mbani mend vetëm ta ndryshoni një herë në javë.
  • Hormonet nga Patch-i nuk përthithen nga stomaku, kështu që ai ende funksionon edhe nëse jeni të sëmurë (me të vjella) apo keni diarre.
  • Përmirëson rregullsinë e periodave duke i bërë më të lehta dhe më pak të dhimbshme.
  • Mund të ndihmojë me simptomat premenstruale.
  • Mund të zvogëlojë rrezikun e kancerit të vezoreve, mitrës dhe zorrëve.

Disavantazhet:

  • Në disa raste mund të shkaktojë irritim të lëkurës, kruajtje dhe dhimbje.
  • Nuk ofron mbrojtje ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, rast në të cilin duhet të përdoren edhe prezervativë gjatë marrëdhënieve seksuale.
  • Ka disa efekte anësore të lehta të përkohshme gjatë përdorimit për herë të parë, të tilla si dhimbje koke, ndjesi të vjelle, ndjeshmëri të gjirit dhe ndryshime të humorit, simptoma të cilat zakonisht ikin pas pak muajsh.
  • Njollat janë diçka e zakonshme në ciklet e para të përdorimit të patch-it.