• + 355 4 2251 475
  • info@acpd.org.al
  • ACPD - Bul. Gj. Fishta, P. 26, Hy. 2, Ap. 5, Tirana, Albania
Pilula e urgjencës

Pilula e urgjencës

E njohur edhe si pilula e emergjencës, kjo pilulë është një medikament hormonal që zvogëlon gjasat për të mbetur shtatzënë pas marrëdhënieve të pambrojtura (prezervativi i dëmtuar, mbrojtja jo e mirë, etj.) merret brenda 72 orëve nga akti seksual.

Ideale është që pilula të merret brenda 12 orëve nga akti seksual i pambrojtur.

Efikasiteti

Efektiviteti në çdo rast konsiderohet shumë i lartë (Kontracepsioni urgjent me levonorgestrel) nëse tableta është marrë brenda 12-24 orëve pas marrëdhënies. Më pas, efikasiteti bie gradualisht gjatë 2 ditëve të ardhshme. Kështu, efikasiteti është :

  • 95% në ditën e parë
  • 85% në ditën e dytë
  • 58% në ditën e tretë.

Prandaj kjo pilulë vepron më me siguri sa më shpejt të merret pas marrëdhënieve të pambrojtura. Në rast se implantimi i vezës së fekonduar tashmë ka ndodhur, marrja e pilulës nuk do të parandalonte shtatzëninë.

Duhet të theksohet se ky medikament e ka me ulje efikasitetin tek gratë që peshojnë më shumë se 75 kg dhe nuk ka efekt në gratë që peshojnë më shumë se 80 kg.

Për shkak të rrezikut më të madh të ngjizjes në krahasim me kontraceptivët e tjerë (prezervativë, pilula…), kontracepsioni urgjent rekomandohet vetëm një herë në një cikël riprodhues të një femre.

Spiralja Copper T380

Spiralja Copper T380

Kjo spirale me bakër ka më shumë efektivitet në krahasim me metodat e tjera, deri 99 %. Në fakt, kjo është mënyra më efektive e kontracepsionit të urgjencës. Mund të vendoset brenda 5 ditëve të marrëdhënies së pambrojtur. Ka efekte të rralla anësore, si infeksioni, flakja nga organizmi apo perforacioni (çarja e mitrës). Nuk duhet përdorur nëse gruaja është shtatzënë.

Efektet

Efekti kryesor i ilaçit është të vonojë ose bllokojë ovulimin. Gjithashtu, është vërtetuar se mund të parandalojë fekondimin duke penguar transportin e spermës.

Pilula e urgjencës nuk ka efekt pas ovulimit dhe nuk mund të shkaktojë abort. Është e rëndësishme për të sqaruar se mekanizmi i veprimit nuk është abortiv!

Ndërveprimet me mjekimet e tjera

Disa medikamente mund të zvogëlojnë efikasitetin kontraceptiv të pilulës së urgjencës, edhe nëse ato ndërpriten për disa javë. Disa prej tyre janë:

  • Rifampicina dhe rifabutina (antibiotikë që përdoren për tuberkulozin)
  • Fenitoina, barbituratet, karbamazepina, primidoni (antiepileptikët),
  • Ritonavir, efavirenz (antiretrovirale per trajtimin e AIDS),
  • Griseofulvina (antimykotik),

Kështu, femrat që kanë përdorur një nga medikamentet e mësipërme në katër javët e mëparshme dhe që duan të përdorin pilulën e urgjencës pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, rekomandohet të përdorin një metodë jo-hormonale për t’u mbrojtur.

Kur kjo nuk është e mundur, rekomandohet të dyfishohet doza e pilulës së urgjencës me bazë levonorgestreli për të kompensuar veprimin e barnave të marra më parë. Edhe nëse nuk priten efekte anësore të ndryshme nga ato të njohura tashmë për dozën tradicionale, rekomandohet që të konsultoheni me një mjek gjinekolog në rast problemesh.

Duhet të theksohet se këto masa paraprake janë të një rëndësie të madhe, sepse përdorimi i medikamenteve të mësipërme shoqërohet me rreziqe serioze për fetusin në rast shtatzënie.

Efektet anësore të padëshiruara

Nuk ka efekte të konsiderueshme anësore me marrjen e pilulës së urgjencës, pasi nuk përmban estrogjen, që është zakonisht përgjegjës për efektet anësore tradicionale të kontraceptivëve oralë. Gjithsesi, pas marrjes së kësaj pilule mund të hasen në efekte të vogla kalimtare, disa shenja klinike si:

  • Ndjesi të vjellash,
  • Dhimbje barku,
  • Dhimbje koke,
  • Marramendje
  • Lodhje, etj.

Pilula nuk ka efekte anësore në fetus nëse shtatzënia vazhdon, ndonëse përdorimi i tij nuk rekomandohet për gratë shtatzëna.

A ka në farmaci pilula të urgjencës? Çfarë recete nevojitet për ta marrë?

Aktualisht në Shqipëri pilula e emergjencës kërkon një recetë nga mjeku për vajzat e mitura, ndërsa për femrat në moshë madhore nuk kërkohet recetë nga mjeku, por mund të blihet në farmaci.